Diateza si mekanizëm gjuhësor kompleks për të formuar konstrukte alternuese në gjuhën Shqipe
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v74i3-4.1000Abstract
Diateza përbën një nga kategoritë më të vështira dhe jo pak të rrahura në gjuhësi. Për të nuk ka një përkufizim dhe shpjegim të njëjtësuar, të kënaqshëm, të pranuar nga të gjithë gjuhëtarët. Në traditën e studimeve gramatikore, trajtimi i diatezës kryesisht si kategori morfologjike, dhe deri diku semantike, nuk ka arritur të pasqyrojë tiparet që realizon ajo në ndërfaqe të disa disiplinave gjuhësore. Teoritë e reja bashkëkohore dhe studimet e zgjeruara sasiore e cilësore që vënë në qendër foljen, kanë sjellë të reja në shkencën e gjuhësisë në përgjithësi dhe në studimin e gjuhëve të veçanta, veçanërisht të gjuhëve gjermanike, latine, sllave etj. Duke e parë si nevojë të menjëhershme që edhe studimet tona gjuhësore të ofrojnë rezultate bashkëkohore, në këtë punim propozohet dhe ndiqet një qasje e re, e cila synon t'u japë zgjidhje disa çështjeve që ende nuk kanë marrë përgjigje të kënaqshme në lidhje me diatezën në shqipe. Për të arritur këtë objektiv, në fillim bëhet një vështrim analitik i studimeve të deritanishme vendase (Sheperi 1927; Myderrizi 1944; Cipo 1949; Demiraj 1969; Lika 1970; Thomai 1984; Deda 2017; Karapinjalli 2017 etj.) dhe të huaja (Pollard dhe Sag 1987; Fillmore 1965, 1988; Goldberg 1995, 1996, 2002, 2006; Jackendoff 1997, 2015; Levin 1993; Booij 2005; Cappelle 2006; Bresnan et al. 2007; Croft 2012; Perek 2012; Van de Velde 2014, Haspelmath 2021 etj.), me qëllim që të kuptohen qartë arritjet, mangësitë, kufizimet dhe nevoja reale për një qasjeje të re teorike dhe për një konceptim të ri të diatezës në gjuhën shqipe.
Duke diferencuar kategorinë morfologjike të formës/zgjedhimit (vepror vs. jovepror) nga diateza, kjo e fundit shihet këtu në bashkëveprim të ngushtë të disa rrafsheve gjuhësore, konkretisht në ndërfaqe të semantikës, morfologjisë, sintaksës dhe pragmatikës, si rezultat i unifikimit të tipareve të tyre. Diateza rezulton atëherë si një operacion gjuhësor kompleks që vepron në strukturën e fjalisë dhe formon konstrukte idiosinkretike që ndryshojnë valencë. Këto konstrukte në diatezë formojnë alternime semantiko-sintaksore specifike në gjuhën shqipe, të cilat albanologu e ka për detyrë t'i përshkruajë dhe t'i analizojë. Në këtë punim do të përshkruhen disa nga tipat më themelore të konstrukteve alternuese, sipas tipologjive që dallohen në shqipe. Më konkretisht, në këtë studim përshkruhen dhe analizohen njëzet konstrukte alternuese në diatezë.
